Më 18 qershor 1904, u nda nga jeta Sami Frashëri, intelektuali, gazetari, dramaturgu dhe një ndër ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare.
Ishte mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar. Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe “Dituria” në Stamboll. Nga tetori i vitit 1879 drejtoi “Shoqërinë e të shtypurit shkronjat shqip”.
Ai është autor i mbi 50 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, ku mund të përmendim: Drama “Besa” (1874), Abetare e gjuhës shqipe (1886), “Kamus al Alam”, enciklopedia turke (1889–1896), Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886) dhe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (1899).
Kjo e fundit është një vepër e cila shtjellon idetë mbi çështjen kombëtare, u botua në Bukuresht në vitin 1899 pa emrin e tij. Kjo vepër u bë manifesti politik i lëvizjes kombëtare.