Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të arrijë sot në Kosovë.
Përveç Lajçak, sot në Kosovë do të qëndrojë edhe Përfaqësuesi Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan lajmi.net.
Vizita e të dy përfaqësuesve në Kosovë po ndodh pak ditë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Edhe pse nga takimi Kurti-Vuçiq, u prit që të arrihet një marrëveshje, kjo nuk ndodhi.
Kjo, pra dështimi i arritjes së një marrëveshje, ngriti zhgënjim tek pala ndërmjetësuese. Megjithatë nga BE-ja, më saktësisht nga Përfaqësuesi i Lartë i Be-së, Josep Borrell, u tha se ata shpresonin që do të ketë një takim mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë, para 1 shtatorit.
Kujtojmë se, data 1 shtator, është dita kur vendimet e qeverisë për reciprocitet për targa dhe dokumente për qytetarët serbë, do të hyjnë në fuqi.