Me kritika nga opozita po shqyrtohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere këtë marrëveshje e po e arsyeton para deputetëve, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ministri Murati tha se kjo marrëveshje parasheh një reformë të skemave sociale dhe pensionale. Sipas tij, kjo kredi rregullon këtë fushë.
“Nuk po marrim kredi për skema sociale, por për reformë në këtë sektor”, tha ai.
Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala ka kritikuar marrëveshjen për kredi 47 milionë euro që parasheh rimbursimin e skemave sociale për vitin 2021.
Ndërsa, deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti ka thënë se nga kjo marrëveshje, 15 milion euro janë për mbështetje direkte buxhetore, që sipas tij janë të panevojshme.
“Në histori nuk ka ndodhur me marrë kredi për skema sociale. Është e pakuptimtë me thënë po marrim kredi e borxhi s’po rritet”, tha ai.
Ministri Murati qeshi me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit kërkoi nga ai të jetë më serioz.
“Kërkoj të jeni serioz kur flisni me mua”, i tha Hoti ministrit Muratit.