Ka përfunduar në një atmosferë të mirë mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë me falënderimin e ngrohtë të kryeministrit Albin Kurti për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe ministrat e të dyja qeverive, raporton Gazeta Express.
Pika e fundit e mbledhjes kishte të bënte me bashkëfinancimin e projektit albanologjik “Enciklopedia Shqiptare”.
“Unë e konsideroj personalisht një vepër për t’u krenuar sepse është një vepër e munguar prej shumë kohësh”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fund, Kurti e falënderoi Ramën dhe ministrat.
“I nderuar kryeministër Rama, i dashur Edi, të nderuara ministre dhe ministra, unë ju falënderoj nga zemra dhe ju përgëzoj për punën dhe angazhimin e deritanishëm”, tha ai.
Pas kësaj mbledhjeje, sipas agjendës, është planifikuar të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare dhe pas kësaj një konferencë e përbashkët për shtyp e Kurtit dhe Ramës.