Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi është deklaruar pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Speciale në lidhje me deklaratat e tij për rastin e Astrit Deharit.
Abazi nuk dha detaje në lidhje me intervistimin nga Prokuroria Speciale.
Ai theksoi se si deputet dhe si qytetar i lirë i Kosovës nuk do të ndalet pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë, nga presioni deri në realizimin e të drejtave në një shoqëri normale, transmeton lajmi.net.
“Ashtu siç e ka dhënë deklaratën time në hollin e Kuvendit është çështje e Prokurorisë që të merret më këtë e të realizojë drejtësinë. Nuk mundem më dhëne asnjë informacion mbi këtë çështje, meqë janë çështje të hetuesisë dhe të prokurorisë. Por, ajo çfarë them unë si deputet edhe si qytetarë i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalëm pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë, nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe si qytetarë në një shoqëri normale”,deklaroi Abazi.
Përpos kësaj ai tha se presioni mund të shkojë në drejtim të ndryshme.
Duhet përkujtuar që në deklarimin e tij gjatë të enjtes Abazi foli për zhdukjen e mostrave në rastin Dehari, derisa tha se Prokuroria duhet të intervistojë disa emra brenda VV-së, por edhe vetë kryeministrin Albin Kurti si dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Si Kurti dhe Haxhiu, që të dy i kanë cilësuar deklaratat e Abazit si shpifje dhe aspak të vërteta.