Për dy ditë radhazi në Brezovicë janë parë numër i madh i zyrtarëve policorë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar vazhdimin e aksionit në rastin e njohur si “Brezovica”.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Prokuroria bashkë me policinë kanë nisur operacionin i cili ka përfunduar pak më parë.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga prokurori Rasim Maloku.
Maloku theksoi se operacioni ka përfunduar tashmë, por se nuk ka bërë të ditur numrin e objekteve të cilat janë sekuestruar sot.
“Operacioni ka përfunduar. Për numrin e objekteve, ju njoftojmë pasi t’i përfshijmë në raport”,deklaroi Maloku.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në Brezovicë janë sekuestruar mbi 100 objekte, saktësisht vila të cilat janë ndërtuar ndër vite në këtë rajon.
Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj sot është deklaruar se sot operacioni ishte i fokusuar në zonën e ndërtimit në Brezovicë Zona e II-të, e Parkut Kombëtar Sharri.
Përpos kësaj, gjatë ditës është raportuar se ekziston mundësia që këto sekuestrimi të vazhdojnë edhe në zonën e tretë me radhë të Parkut Kombëtar Sharri.
Deri para pak ditëve në kuadër të rastit “Brezovica”, Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kanë arrestuar mbi 30 persona të dyshuar.
Të njëjtit dyshohen se në shumë raste kanë mundësuar në mënyrë ilegale ndërtimin e shumë objekteve në këtë zonë.
Kësisoj të njëjtit vazhdojnë të jenë në burgje, derisa aksioni për të sekuestruar këto objekte, për të hetuar edhe më tutej rastin e për të hetuar secilin të dyshuar veç e veç është duke vazhduar.