Në seancën e Kuvendit të Kosovës është duke u diskutuar për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se ky projektligj ka paraparë masa të cilat do të ndërmerren në raste të veçanta”.
Projektligji në formën në të cilën është paraqitur është kundërshtuar nga PDK, LDK dhe AAK, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se ky projektligj në formën siç është paraqitur mund të përdoret në situata të caktuara për dëmtimin e bizneseve të caktuara.
“Mund të përdoret në situata të caktuara për dëmtimin e bizneseve të caktuara. Kjo ide që është e shkruar në draftligj nuk pasqyron atë që u tha. Në këtë situatë të draftligjit që e kemi PDK nuk mund ta përkrahë kështu. Ne nuk mund ta mbështesim një ligj që është i dëmshëm edhe për ekonominë, edhe për bizneset edhe për qytetarin”, tha Shala.
Projektligji nuk është përkrahur as nga LDK. Hykmete Bajrami nga LDK tha se një nivelizim i tillë i çmimet u shërben vetëm bizneseve të mëdha dhe i shtyn drejt falimentimit dyqanet e vogla.
“Ne jemi ekonomi e tregut të lirë, që nënkupton ndërhyrje minimale të tregut. Askush nuk ka pritje nga ju të shpikni një rend të ri botëror, në tentativë ju mund ta deformoni sistemin e tregut.
Me nivelizim të çmimeve ju vrani konkurrencën në mes të atyre që ofrojnë produkte të njëjta. Ju i shtyni drejt falimentimit mijëra dyqane të vogla nëpër fshatra e lagje periferike të qytetit. Ju po ambastrahoni faktin se dyqanet e vogla furnizohen prej rrjeteve të mëdha importuese. Me vendosjen e çmimeve tavan ju nuk do të mund të ulni çmimet e bizneseve të mëdha”, u shpreh Bajrami.
Kundër këtij projektligji doli edhe AAK. Pal Lekaj nga AAK tha se do ta përkrahin këtë projektligj vetëm kur të bëhen ndryshime rrënjësore në amandamentet e tij.