Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar mbështetjen e të gjithë deputetëve për ta votuar Projektligjin për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policor.
Pas marrjes së “aminit” nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, propozuesja e këtij Projektligji, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ftoi të gjithë ekspertët e fushës që të kontribuojnë.
Në një konferencë për media, Musliu tha se shpreson që në seancën e Kuvendit ku do të diskutohet për këtë Projektligj të mos ketë debate pozitë-opozitë, por vetëm debate konstruktive e përmbajtjesore të cilat do të ndihmojnë Policinë e Kosovës, sepse sipas saj, siguria e vendit nuk i takon asnjë partie politike.
“Ftoj të gjithë ekspertët dhe njohësit e fushës që të bëhen pjesë e këtij ligji, në mënyrë që ta kemi një ligj sa më të mirë për pensionimin e policëve të Kosovës, një ligj të impelemtueshëm, një ligj i cili iu garanton pensionim të dinjitetshëm Policisë së Kosovës”, u shpreh ajo.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se janë të gatshëm që brenda afateve kohore ndërmjet dy leximeve, t’i presin komentet, qoftë nga sindikatat, ekspertët apo nga kushdo qoftë.
“Meqenëse sot më shumë se kurrë është nevoja që ky ligj të kalojë në Kuvend. Në komision e diskutuam që ky Ligj ka ndikime buxhetore që është e vërtetë dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm që edhe po të deshëm ne, nuk mund të bëhet përnjëherë mirëpo duhet të bëhet në mënyrë graduale. Pra, edhe procesi i rekrutimit kërkon një kohë, dhe dinamikat janë të tilla që ne poashtu do të jemi shumë fleksibil edhe në propozimin që mund të na vijë në afatet kohore ndërmjet dy leximeve”.
Për kalimin në lexim të parë të këtij Projektligji u deklarua edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hisen Berisha, i cili tha se është domosdoshmëri që të ketë ligj për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë.
“Nuk duhet harruar që komponenta më kyçe në vendin tonë për sigurinë e vendit është Policia e Kosovës me të gjitha kategoritë e forcave që kanë brenda. Kushtet e tyre të punës janë evidente, pra nuk janë të atij niveli siç duhet me qenë, pastaj janë kategoritë specifike siç e kam theksuar edhe në Komision, sepse potenciali i tyre më i madh ka ardhur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Pra, janë njerëz që e kanë arrit një moshë e që fillon me dhënë efektet e saja në shëndetin e tyre, prandaj ka qenë domosdoshmëri që të ketë një ligj i cili e mundëson pensionimin e parakohshëm, atë invalidor por edhe pensionimin e rregullt në moshë më të reduktueshëm sesa është pensionimi i Shërbyesve civil”, u shpreh Berisha.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.
Edhe pse nisma ligjore e PDK-së u kundërshtua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, për, sikurse deputetët e opozitës, votoi deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli.
Ndërsa, tre anëtarët e Komisionit Shqipe Mehmeti-Selimi, Mefail Bajqinovci e Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i dhanë përkrahje këtij Projektligji, pasi sipas tyre nuk është paraparë në buxhetin e vitit 2023.