Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që u miratua para një jave në Kuvend.
Tahiri ka thënë se ky ligj cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe shtrin ndikimin e politikës në KPK dhe se bie ndes me gjashtë nene të Kushtetutës.
“Asnjëherë nuk kemi pasur një tendencë kaq të qartë të kapet një sistem të tërë prokurorial siç ka ndodhur me miratimin e fundit të ligjit nga mazhoranca e drejtuar nga Vetëvendosje. Ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës. Besojmë plotësisht që argumentimet që i ka sjellë PDK-ja, në draftin që e kemi dorëzuar në ankesën tonë, konsiderojmë që është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë”, ka thënë Tahiri.
Sipas Tahirit, në mes të dy leximeve po ashtu nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Në mes të dy leximeve, nuk janë marrë në konsideratë as rekomandimet e Komisionit të Venecias. Prandaj, këto janë arsye shtesë pse ky ligj bie ndesh me Kushtetutën. Këtë ligj e degradon edhe përbërja politike e këtij Këshilli. Tash, çdo kush mund të bëhet anëtar i Këshillit Prokurorial, mjafton të ketë mbështetjen e politikës. Pra, tash, Këshilli Prokurorial është direkt i varur nga politika – respektivisht nga mazhoranca. Kjo është e papranueshme, në kundërshtim me Kushtetutën, prandaj edhe jemi të bindur që një vendim të tillë do ta nxjerrë dhe konfirmoj edhe vetë Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Tahiri.