Isuf Beqiri, i cili edhe dy vjet arrin moshën e pensionimit, po e shqyrton mundësinë që të dalë në pension të parakohshëm.
Që nga viti 1978 ai punon në minierën e Stantërgut të kombinatit “Trepça”.
“Nuk është ofertë e keqe. Minatorë 65 vjet në minierë është e vështirë. Po mendoj ta pranoj”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sikurse punëtorëve të Telekomit të Kosovës, edhe atyre të kombinatit “Trepça” u është ofruar mundësia që të dalin në pension të parakohshëm dhe të përfitojnë 60 për qind të pagës. Përderisa disa punëtorë kanë mirëpritur këtë ofertë, nga sindikata e minatorëve kanë kërkuar edhe kushte të tjera.
Oferta për minatorët
Kombinati u ka ofruar punëtorëve të saj pensionim të parakohshëm në këmbim të një përqindjeje të pagës dhe marrëveshje vullnetare për ndërprerje të kontratës së punës.
Sipas të dhënave, deri në fund të vitit 2021 në këtë kombinat ishin të punësuar 2,344 persona.
Oferta e “Trepçës” nuk vlen për personat në të cilët ndërmarrja ka investuar në ngritjen dhe zhvillimin profesional të tyre dhe të cilët i konsideron kategori të rëndësishme në zhvillimin e kompanisë.
Në ofertë parashihet që secili punëtor që do të dilet në pension në katër vjetët e ardhshme të pensionohet para kohe dhe të përfitojë 60 për qind të pagës aktuale bruto deri në periudhën e pensionimit. Ndërsa, marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës ofron 24 paga të menjëhershme për punëtorin.
Beqiri, i cili ka një pagë prej mbi 700 eurosh, thotë se 60 për qind e pagës që do të marrë pas pensionimit, është një e ardhur solide, por ai do të dëshironte që në vend të tij, t’i punësohej djali.
“Do të kërkoj që pas pensionimit tim të merret djali im në punë. Ai është 27 vjet tash përfundon Fakultetin e Makinerisë”, tregon ai.
“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Kjo ofertë për punëtorë e Trepçës është hapur më 21 qershor dhe mbyllet më 21 korrik.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë informacione se sa është numri i punëtorëve që kanë aplikuar deri më tani si dhe arsyet më të detajuar të kësaj oferte.
Ministria e Ekonomisë dhe bordi i ndërmarrjes “Trepça” nuk u janë përgjigjur thirrjeve të REL-it.
Por, në letrën e ndërmarrjes “Trepça” drejtuar punëtorëve, thuhet se janë duke u bërë reforma dhe ristrukturim të strukturës organizative të ndërmarrjes.
Sipas letrës, ‘punëtorët që nuk do të përfitojnë nga ky program i pakove dalëse duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës, që hyn në fuqi në kohën e miratimit të strukturës së re organizative’.
Por, më ketë ofertë nuk janë pajtuar përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.
Gani Osmani, përfaqësues i kësaj sindikate, thotë për Radion Evropa e Lirë se punëtorët e “Trepçës” kanë të drejtën që secili të vendosë se a do ta pranojnë ofertën, por si sindikatë kërkojnë kushte tjera.
Ai thotë se duhet bërë ligj i veçantë për minatorët, ku pensionimi i parakohshëm do të rregullohej me ligj.
“Nuk mund të bëhen këto oferta si për ‘Trepçën’, si për ‘Telekomin’. Në ‘Telekom’ ka pasur numër të madh të punëtorëve dhe ristrukturimi është bërë për të ulur këtë numër. Në ‘Trepçë} është situatë tjetër, në ‘Trepçë’ punohet dhe duhet fuqia punëtore”, thotë ai.
“Punëtorët që janë të punësuar në ‘Trepçë’ që kanë përvojë tre apo katër vjet ata mund ta pranojnë ofertën dhe të largohen duke gjetur një vend pune tjetër, por ‘Trepça” do të mbetet keq pa ata punëtorë”, shton Osmani.
Shala: Oferta nuk zgjidh problemet në “Trepçë”
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ferat Shala, thotë se nuk zgjidhen problemet me këto oferta.
“Ky është lajmi më i keq që dëgjojë për ekonominë e Kosovës, për industrinë minerare e në veçanti për ‘Trepçën’. Hapat që po ndërmerr kjo Qeveri janë hapa afatshkurtër pa asnjë rezultat ekonomik, social e as zhvillimor. Janë hapa regresivë, hapa që në mungesë të ideve zhvillimore, mungesë të programit zhvillimor, kemi ardhur në një situatë ku ‘Trepça’ është afër falimentimit”, thotë ai.
Zgjidhja, sipas deputetit Shala që vjen nga radhët e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, është rivitalizmi i kompanisë dhe hapja me tregun e lirë, bashkëpunimi i jashtëm me kompani të specializuara dhe investime në teknologjinë e nevojshme.
Pensionim i parakohshëm me pagë dhe marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës me kushte të njëjta si në “Trepçë”, u ishte ofruar edhe punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare dhe Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve.
Në Telekomin e Kosovës afati për pranimin e kësaj ofertë ka përfunduar. Ofertën e kanë pranuar 302 punëtorë, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.
“Kanë aplikuar mbi 370, një pjesë e tyre disa janë tërhequr, disa janë refuzuar. Saktësisht 302 punonjës kanë pranuar pensionim e parakohshëm apo shkëputje vullnetare të kontratës”, thotë ai.
Kompanitë në krizë financiare
Të dy kompanitë Telekomi i Kosovës dhe “Trepça” përgjatë viteve janë duke u përballur me probleme të mëdha financiare.
Telekomi i Kosovës dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend. Sipas raporteve të Zyrës Kombëtare e Auditimit të Kosovës kompania ka vazhduar trendin e operimit me humbje.
Sipas një raporti të auditimit të bërë në vitin 2019, thuhet brenda pesë vjetëve, humbjet që ishin shënuar kapën vlerë e mbi 115 milionë eurove.
Kjo situatë, sipas ekspertëve të telekomunikacionit, ka ardhur si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.
Për të ndihmuar këtë kompani, Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë si dividendë 10 milionë euro.
Në anën tjetër, “Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.
Aktualisht, “Trepça” merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është e vetmja prodhuese e këtij lloji në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse në vitin 2021, nga aty janë nxjerr mbi 180 mijë tonë xehe./REL