Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, sot do të arrijë në Kosovë.
Lajçak në ora 14:30 do të pritet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Lajçak do të qëndrojë deri më 29 qershor, pra të mërkurën, shkruan Demokracia.com.
Lajcak do të takohet edhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Fjalimi për media i EUSR Lajcak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftim.
Kjo është vizita e parë e Lajçak pas nënshkrimit të marrëveshjes për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të zhgënjimit të qytetarëve kosovarë me Bashkimin Evropian pasi sërish nuk u dha drita jeshile për vizat.
Vizita e Lajçak u tha se mund të jetë edhe në kuadër të përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, i cili është paralajmëruar se mund të ndodhë së shpejti.