Koordinatori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu, njëherësh edhe parashikues i motit, iu është kundërvënë ish-drejtorit të këtij instituti, Sylë Tahirsylaj, i cili e akuzoi IHMK-në për mungesë të inxhinierëve të meteorologjisë.
Aliu me një reagim në formë komunikate e ka akuzuar Tahirsylën për mungesë vizioni përgjatë kohës së udhëheqësisë në IHMK, duke shtuar se e ka lënë këtë institut me, siç i referohet ai, teknologji primitive.
“Ja vizioni i një ish drejtori i cili e pat lënë IHMK me nje teknologji primitive, me tri stacione manuele dhe me një staf tejet simbolik. Kemi pasur shum oferta nga jasht për të marr pjesë në trajnime sa i perketë fushës së meteorologjisë por i njejti gjithmonë i ka refuzuar me pretekstin se IHMK nuk i duhen njerez. Me ikjen e tij nga IHMK është bërë revulucion në teknologji dhe në trajnime, sepse i kemi ndjekur të gjitha, por ky numer kaq i vogel i punetoreve edhe sot na ka krijuar veshtiresi të papara dhe shtetet e rajonit po habiten se si mundemi me funksionu me ketë staf kaq simbolik”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në reagim, më tej bëhet e ditur se Kosova është shteti me numrin më të ulët të punëtorëve në rajon. Aktualisht, sipas këtij reagimi, në vend janë të punësuar vetëm 13 punëtor në IHMK, teksa në institutin përkatës të Serbisë 530 sosh.
Tutje, ai ka përkujtuar se IHMK ka paralajmëruar qytetarët shtatë orë më herët për stuhinë e përpara dy ditëve. /Lajmi.net/