Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka shpreh shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në në Kuvendin e Kosovës.
Në komunikatën për medie thuhet se Këshilli Prokurorial, që nga fillimi i procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së, ashtu siç parashihet me Strategjinë për sundimin e ligjit, ka dhënë kontributin e tij nëpër grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dalë me propozime konkrete, të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, nga komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës, përcjell Demokracia.com.
“KPK-ja konsideron se votimi i këtij ligji, në këtë mënyrë, cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetuese. Për më tepër, përmbajtja e këtij ligji do të pamundësojë funksionalizimin e sistemit prokurorial dhe do ta bëjë atë lehtësisht të ndikuar nga politika. Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”, thuhet në komunikatë.