Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka bërë të ditur se kontingjenti i FSK-së po realizon me sukses operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmetit që ka lënë të vdekur mijëra persona.
Mehaj ka informuar se kontingjenti i FSK-së në Turqi, që nga orët e hershme të mëngjesit është duke operuar në provincën Hatay të Turqisë në mbështetje të autoriteteve turke për kërkimin dhe shpëtimin e jetërave të njerëzve nën gërmadha.
“Specialistët e kërkim-shpëtimit urban dhe ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të zbarkuar para dy ditësh në Republikën e Turqisë, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim -shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës. Rajoni Hatay në Turqi ku po operojnë njësitet tona është rajoni më i goditur.”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Kujtojmë që, kontingjenti i FSK-së në operacionin e kërkim-shpëtimit, të hënën është nisur për në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.