Gazetari Augustin Palokaj ka thënë se përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, “kurrë nuk ka qenë më afër” sesa këtë vit.
Në një intervistë për Kohavision, gazetari korrespodent në Bruksel, ka deklaruar se asnjë shtet nuk u shpreh kundër liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mbledhjes së grupeve punuese të Këshillit Evropian më 13 tetor.
Palokaj ka thënë se Franca ka mbështetur liberalizimin porse ka propozuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të lidhet me një sistem ETIAS.
“Ky ishte takimi i parë ku vendet anëtare paraqiten vendimet e tyre. Tash po vazhdojnë konsultimet në vendet anëtare. Do të ketë edhe një takim tjetër më 9 nëntor me të njëjtin grup punues. Këtu do të ketë një përpjekje për të parë a do të lëvizet në një hap tjetër. Kemi të bëjmë me një sfidë apo test. As më datën 9 nëntor nuk do të vendoset diçka”.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që të ketë interesim për takimin e një grupi punues prandaj edhe presidenca çeke doli me njoftim. Në kushte të zakonshme nuk do të kishte. Përkundër gjithë zhgënjimit që është krijuar momentalisht, procesi i liberalizimit të vizave kurrë nuk ka qenë më afër. Ky është fillimi i fundit të procesit”, ka thënë ai.