Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në seancën e sotme parlamentare ka kritikuar SBASHK-un, duke thënë se greva e këtyre të fundit është përdor si instrument për ta bojkotu shtetin e Kosovës.
Në fjalën e saj, deputetja e VV-së ka shtuar se, SBASHK-u po vazhdon t’i manipulojë dhe t’i keqinformojë mësimdhënësit, shkruan lajmi.net.
Më tej, ajo ka deklaruar se mësimdhënësit bëhen pjesë e sindikatës kur kjo e fundit i mbron të drejtat e tyre, ndërsa kur mësimdhënësit, siç ka thënë deputetja “vendosen në lajthitje”, ata kanë të drejtë të mos bëhen pjesë e saj.
“Të gjithë e dimë që greva është instrument i drejtë. Mirëpo, grevat edhe ligji i ndalon që të mos keq përdoren apo të mos përdoren për interesa personale apo grupore. Por ajo çfarë duhet ta bëjmë të qartë është se greva e SBASHK-ut është përdor si instrument për ta bojkotu shtetin e Kosovës. Sindikata nuk i ka informuar saktë edhe asnjëherë nuk ka dhënë një listë, në web faqen e saj nuk ka listë të detajuar të anëtarësimeve që kanë ndodhë brenda këtyre viteve dhe të largimeve nga anëtarësimi. Pra kjo është shumë më rëndësi ta dimë, sepse ka mësimdhënës që vazhdojnë t’i paguajnë obligimet pa dëshirën e tyre. E kam marrë edhe një mesazh i cili e rikonfirmon këtë për të cilën thash, që, sindikata, pra SBASHK-u po vazhdon t’i manipulojë dhe t’i keq informoj mësimdhënësit. Nëse sindikata i mbron të drejtat e tyre, mësimdhënësit bëhen më qef pjesë e sindikatës. Por nëse i vendos kështu në lajthitje ata kanë të drejtë edhe të zgjedhin të mos bëhen”, ka thënë Pacolli.