Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për vitin e ri 2025.
Në urimin e presidentes, ajo ka potencuar se viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë dhe se ka pasur sfida ekonomike e deri të ato të sigurisë.
Më poshtë, urimi i plotë i presidentes:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të dashur mërgimtarë,
Të nderuar miq ndërkombëtarë të vendit tonë,
Akrepat po lëvizin me shpejtësi drejt mesnatës, e teksa jemi në prag të një viti të ri, ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për shëndet, lumturi dhe begati për ju dhe familjet tuaja.
Ditë si kjo, janë ditë të veçanta. Na bëjnë të shikojmë prapa në udhëtimin e vitit që po e lëmë pas, duke shpresuar fort që kemi bërë më të mirën dhe duke uruar që në vitin që pason të veprojmë e të punojmë gjithnjë e më mirë.
Në të vërtetë, viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë – na kanë përcjellur sfidat nga ato ekonomike e deri te ato të sigurisë.
Por, ne kemi qëndruar të vendosur, krah për krah, duke i kapërcyer pengesat me vendosmëri të palëkundur. Këto sfida na kujtojnë përgjegjësinë që kemi për të ruajtur shtetin, sovranitetin e shtetit tonë dhe paqen tonë për brezat e ardhshëm.
E pavarësisht situatave jo të lehta, ne dëshmuam edhe njëherë qëndrueshmërinë tonë dhe përkushtimin tonë për të trasuar rrugë të reja e për të eliminuar pengesat në rrugëtimin tonë kolektiv.
Këtë e dëshmuam më së miri edhe kur filmat tanë arritën në festivalin e filmit të Kanës e kur morëm Çmim Special në Bienale të Venecias; kur xhudistet tona fituan edhe dy medalje Olimpike në Lojrat Olimpike të Parisit, kur Kosova fitoi medalje të arta në festivale në Spanjë, e po kështu, kur korrëm suksese të vazhdueshme në fushën e Informacionit e Teknologjisë, e inovacionit e kur bizneset e Kosovës depërtuan në tregjet ndërkombëtare. Këtë vit, fuqizuam sektorin e sigurisë, krijuam miqësi të reja e siguruam pjesëmarrje e përfaqësim për Kosovën në forume, ngjarje e samite më të mëdha e të rëndësishme botërore. Botës i dëshmuam se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se njerëzit tanë gjithnjë shkëlqejnë kur ju ofrohen mundësi të barabarta.