Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Papa Franceskun në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Këtë e bëri të ditur vet e parja e shtetit me anë të një postimi në Facebook. Ajo tha se i shprehu falënderime Papës për “kujdesin ndaj Kosovës”.
“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, shkroi ajo.
Bashkë me Osmanin, në këtë takim ishte “zotëriu i Parë”, Prindon Sadriu.
Postimi i plotë i Osmanit në Facebook:
E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.
Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.
Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore.