Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë.
“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sipas Osmani, tashmë lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, “familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”.
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.