Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejm.
Presidentja Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtetndërtimin. Presidentja Osmani ka kërkuar edhe më tej mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuese për avancimin e të drejtave të njeriut.