Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki është takuar me kryetarin e senatit çek, Miloš Vystrčil, ku ka adresuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës në mandatin e Çekisë, e cila aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në takim me kryetarin Vystrčil, presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Republikën Çeke si aleate të rëndësishme, me të cilën ndajnë vlera dhe vizion të përbashkët për paqe, prosperitet dhe integrim euroatlantik.
“Kosova ka nevojë për rrugë të qartë drejtë BE-së gjatë Presidencës Çeke. Mbështetja për procesin e liberalizimit të vizave duhet të jetë në agjendë, sepse është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar presidentja.
Bëhet e ditur se Osmani ka kërkuar edhe përkrahjen e senatit çek për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që parlamentarët luajnë në këtë proces, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Osmani ka diskutuar me kryetarin Vystrčil për rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe e më pas në NATO. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale, sikurse edhe në forcimin e diplomacisë parlamentare ndërmjet dy vendeve.