Në 25-vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Malajn.
Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
Ilir Konushevci ishte luftëtari i paepur që kauzën e tij për lirinë e Kosovës e kishte transformuar në veprim konkret ushtarak që nga vitet e 90-ta.
Njeriu i pushkës ishte edhe bartësi kryesor i procesit të furnizimit të UÇK-së me armatim nga Shqipëria në Kosovë.
25-vjet më parë, Ilir Konushevci bashkë me mjekun Hazir Malajn, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës u vra në një pritë të organizuar.
Gjeneral Iliri u vra, por jo edhe ëndrra e tij për Kosovën e lirë. Pushkët e tij e bën Kosovën të lirë, e përmbushën testamentin e tij dhe e përjetësuan idealin e brezave për liri dhe Republikë.
Zbardhja e autorëve të vrasjes së tij dhe përballja me drejtësinë do t`i jap kuptim lirisë për të cilën ra Iliri!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ilirin!