Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur rreth çështjes së konvertimit të targave në RKS nga serbët në veri të Kosovës.
“Sa i përket targave, tema që duhet të diskutohet sot është pak më ndryshe. Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po iu djegen shtëpitë, makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë, dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Asesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë. Ata që nuk i kanë konvertuar, është për shkak të kërcënimeve që po i marrin nga strukturat ilegale. Në luftën kundër bandave dhe në luftën për sundim të ligjit, presim që të kemi mbështetje nga aleatët evropianë dhe nga SHBA-ja. Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Pra, Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova zbaton ligjin. Ne do të punojmë bashkërisht që të mos lejojmë që këto skenarë ruse të kenë vend në rajonin tonë”, tha Osmani, raporton Demokracia.com.
Presidentja Osmani gjatë konferencës për media ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi.
“Dialogu është në proces të cilin Kosova është jashtëzakonisht e angazhuar, jashtëzakonisht e përkushtuar, e ky përkushtim e angazhim për paqe stabilitet afat gjatë nuk do të mungojë asnjëherë”, tha ajo. /Demokracia.com/