Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ashtu si kryeministri Kurti, ka shkruar për takimin e mbrëmshëm në SHBA me sekretarin e shtetit, Antony Blinken.
Në një postim në Facebook, Osmani ka ripërsëritur frazën se raportet me SHBA-në për Kosovën janë ekzistenciale, shkruan lajmi.net.
Ajo ka thënë se me SHBA-të, Kosova do të intensifikojë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit si dhe udhëtimin euroatlantik.
Postimi i plotë:
Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale!
Nder i veçantë takimi me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, me të cilin rikonfirmuam partneritetin tonë të palëkundur, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta intensifikojmë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik.
Së bashku qëndrojmë krah për krah në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes, sigurisë, si dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike.