Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, sot u pritën nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, zv. kryeministrja Donika Gërvalla, në Dubovik.
Me ç’ rast, Osmani u shpreh se nderuan kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës për çlirim kombëtar.
Osmani theksoi se liria mban edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse, “ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!”
“Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët. I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!”, shkroi Osmani në Facebook.
Më 17 janar të vitit 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.