Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot me një ceremoni presidenciale, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i cili për herë të parë si president jashtë vendit sot ka vizituar Kosovën.
Osmani pas takimit me homologun e tij të Shqipërisë, në një konferencë për media ka propozuar që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast se cenohet siguria e dy shteteve, përcjell Telegrafi.
Presidentja po ashtu tha se ky është një propozim i kamotshëm i saj.
Osmani u shpreh se është koha që të bëjnë hapa të duhur në këtë drejtim që të mbrohet siguria e dy shteteve.
“Sa i përket bashkëpunimit tonë dy palësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është më rëndësi që me Shqipërinë të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë që është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, ndaj mendoj që është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në të gjithë rajonin, në këtë kohë siç tha ajo kur po sfidohet arkitektura e sigurisë.
“Jo vetëm këtu, por dhe në kontinentin tonë por dhe më gjerë siguria është shndërruar në prioritet. Prandaj, krahas kërkesës sonë për anëtarësimin e Kosovës në NATO që mbetet synimi ynë i vazhdueshëm ne po bëjmë koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik në mënyrë që rajoni ynë të ndihet çdo ditë e më i sigurt”, theksoi Osmani.
Osmani gjithashtu theksoi se “Objekti ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO”.
“Prandaj do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE në fund të këtij viti dhe do të llogarisim në përvojën e Shqipërisë pasi i ka kaluar me sukses këto procese”, u shpreh ndër të tjera presidentja e vendit.