Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter.
Presidentja Osmani, përmes një postimi në rrjetin social X, ndërroi jetën dhe veprën e presidentit Carter, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzues të lidershipit.
“Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë. Mendimet tona janë me familjen e tij teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani.
Ngushëllimet e tij i shprehu edhe kryeministri Kurti, duke vlerësuar trashëgiminë e Carterit në të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për prosperitet global.
“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e presidentit Jimmy Carter dhe popullin amerikan në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje punëtore në Plains, Georgia, presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti.
Carter, i cili shërbeu si presidenti i 39-të i SHBA-së nga viti 1977 deri në vitin 1981, mbetet presidenti më jetëgjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë mandatit të tij, Carter u përball me sfida të mëdha të politikës së jashtme dhe humbi rizgjedhjen në vitin 1980 ndaj rivalit të tij, Ronald Reagan.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Carter u angazhua në aktivitete humanitare dhe mori çmimin “Nobel” për paqe për kontributet e tij në fushën e drejtave të njeriut.