Krerët e shtetit kanë uruar komunitetin rom në ditën e tyre. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vlerësuan kontributin dhe angazhimin e këtij komuniteti për Republikën e Kosovës.
Osmani kujtoi kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit rom në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa ka vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të komunitetit rom në Republikën e Kosovës.
“Kjo ditë shërben si rikujtim i përpjekjeve tona përbashkëta për të vazhduar avancimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes për të gjithë”, shkroi ajo.
Përmes një letre, kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.
Ai ka përmendur hartimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe lansimin e Platformës Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë”, shkroi Kurti.
Kryeministri u shpreh se në dy vitet e fundit, qeveria e tij ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara, përfshirë fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale.
“Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome”, vijoi Kurti.
Kurti tha se shpreson për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, për realizimin e synimeve të përbashkëta, për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie.