Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në seancën solemne për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka thënë se Kosova ka shënuar progres të madh në rrugëtimin e saj demokratik përgjatë këtyre viteve.
Por presidentja, Osmani thotë se shteti ynë nuk mund të jetë imun karshi sfidave e kërcënimeve të të gjithë atyre që duan ta minojnë shtetësinë tonë.
Osmani thotë se procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, e ajo është njohja reciproke, ashtu siç e përmendi presidenti amerikan Joe Biden në letrën e tij të urimit.
“Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve. Sot e kësaj dite forca destruktive provojnë ta minojnë shtetësinë tonë. Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Spektri politik i vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen ta minojnë shtetësinë tonë. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog që e konfirmoi edhe presidenti Biden në letrën e tij dërguar dje, e ajo është njohja reciproke”, tha Osmani në seancën e Kuvendit.