Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe. Sipas këtij draft-statusi, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesi i FES-it për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka thënë se ky është projekt i mbështetur në pragmatizëm politik.
Ka thënë se draft-statuti është propozim konkret duke shtuar se ka pasur debat, por pak përparim sa i përket asociacionit.
Ai ka thënë se tri objektivat e draft-statutit janë se ai është në një linjë me Kushtetutën, merren parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013.
Egzon Osmanaj, koordinator i projektit ka thënë se një nga pikat kyçe të procesit është marrëveshja e vitit 2013.
Sipas tij, drafti ka qenë produkt i FES-it dhe Institutit Evropian për Paqe.
“Ka pasur tendenca me e ndërlidh me faktorë tjerë se ka qenë e porositur prej dikujt. Rrjedhja e drafteve ka shtuar presionin tek koleget tanë. Kemi dashur të jemi transparent dhe të hapur. Terminologjia e përdorur bazohet në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kuadrin ligjor të saj. Që të jetë më përfshirës kemi organizuar seri të punëtorive me të cilët kemi diskutuar me ekspertë, akademikë dhe të gjitha diskutimet janë përfshi aq sa kemi pasur mundësi”, ka thënë ai.
Në kapitullin e parë neni 1 pika 2 thuhet se “Statuti do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit/Bashkësisë i formuar nga anëtarët me votim të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Ky draft-statut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.