Kryeministri Albin Kurti javë më parë deklaroi se Shefi i Zyrës së OSBE-së në Kosovë është pjesë e Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit. Përveç tij, tha ai, aty bën pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe dy serbë nga veriu dhe dy nga jugu.
Por, Misioni i OSBE-së në një përgjigje për Gazetën Express kanë deklaruar se asnjë përfaqësues i këtij misioni nuk është pjesë e ekipit dhe s’kanë marrë pjesë në ndonjë diskutim për hartimin e një Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjithashtu kanë thënë se s’kanë pasur ndonjë ftesë për të diskutuar rreth hartimit të ndonjë statuti për Asociacionin pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër.
Misioni i OSBE-së këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express në një përgjigje me shkrim.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk është ftuar të marrë pjesë në diskutime si vazhdim i takimit në Ohër më 18 mars për hartimin e një statuti për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe dhe Misioni as nuk ka marrë pjesë në diskutime me Ekipin Menaxhues ekzistues, anëtarët e të cilit nuk përfshijnë asnjë përfaqësues të Misionit”, kanë thënë në një përgjigje për Express.
Pavarësisht kësaj, nga OSBE kanë thënë se janë të gatshëm që të ndajnë përvojën dhe ekspertizën për zbatimin e marrëveshjeve përkatëse të dialogut, nëse kërkohet.
“Duke pasur parasysh bashkëpunimin afatgjatë të Misionit me të 38 komunat anembanë Kosovës, Misioni është i gatshëm në parim të ndajë ekspertizën e tij në zbatimin e marrëveshjeve përkatëse të Dialogut, nëse kërkohet”, kanë përfunduar për Gazetën Express.
Ditë më parë për këtë çështje ka folur edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai kishte konfirmuar se s’ka ndërmarrë kurrfarë lëvizje lidhur me punën e hartimit të Statutit të Asociacionit meqë s’dihet se cila është puna që e kanë bërë Ekipi Menaxhues ekzistues, e i cili dihet vetëm që drejtohet nga Danijela Vujicic.
“Unë si ministër nuk jam pjesë aktive e dialogut dhe për këtë nuk mund të flas assesi me afate të asnjë lloji. Mirëpo unë çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”, kishte deklaruar Kransiqi për KP ditë më parë kur ishte pyetur rreth afateve se kur ky Ekip mund të dalë me ndonjë propozim.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ndërkohë ka thënë se do të jenë pesë siguresa për draftin e Statutit të Asociacionit që potencialisht mund të propozohet nga Ekipi Menaxhues ekzistues.
Ai kishte deklaruar në fillim të këtij muaji se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, kishte deklaruar Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme.
“Në ç’masë është në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, ka vazhduar tutje.
Kosova dhe Serbia më 18 mars kanë arritur një marrëveshje në Ohër, ku ndër të tjera palët janë pajtuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara. Faktori ndërkombëtar, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se themelimin e Asociacionit është çështje tejet e rëndësishme dhe se Kosova duhet të fillojë menjëherë punën për themelimin e Asociacionit.
Ndërkohë Asociacioni është bërë edhe një prej kushteve, që serbët lokalë të kthehen ne institucionet e Republikës së Kosovës.