Të rrallë mund të jenë ata në Kosovë që kanë dëgjuar ndonjëherë emrin e Presidentit të Maltës, George Vella. Malta është një shtet-ishull me 316 kilometra katrorë, me turizëm tepër të zhvilluar, pasi aty shkojnë nga e gjithë bota për motin me diell, plazhet tërheqëse, historitë e pasura dhe jetën e gjallë, shkruan Demokracia.com.
Megjithëkëtë, Kosova pati mundësinë që të mësojë më shumë për presidentin e shtetit të vogël të Maltës, i cili qëndroi në vendin tonë në fundjavën që lamë pas.
E gjithë kjo njohje u bë e mundur falë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi që George Vellan ishte i vetmi president që erdhi në organizimin dyditorë të Forumit Ndërkombëtar për Gruan, Paqen dhe Sigurinë.
Kjo vëmendje për Presidentin e Maltës, shtetit mik të Kosovës, nxori në pah mungesën e figurave apo liderëve nga shtete të rëndësishme në organizimin e presidentes Osmani.
Në fakt, Vella ishte i vetmi mes politikanëve të rëndësishëm që erdhën në ngjarjen e prezantuar me mjaft pompozitet nga presidentja Osmani. Mënyra sesi shfaqej Osmani në prezantimin e kësaj ngjarjeje, të bënte të mendosh se bota e fuqishme po zbriste në Kosovë.
Por, ky organizim i saj, në vend se të përçonte mesazhet e të pranishmëve, më shumë u dëgjuan kritikat që erdhën nga jashtë hotelit luksoz ku po mbahej kjo ngjarje. Edhe pse slogani ishte i qartë për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, presidentja Osmani kishte lënë jashtë gratë shqiptare të Kosovës që kanë dhënë kontribut të madh në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Ajo u kritikua se kjo u bë qëllimisht nga e para e shtetit të Kosovës, në mënyrë që askush tjetër të mos përbëjë lajm më shumë se vetë ajo, pavarësisht se në aspektin personal, Osmani nuk shquhet se ka bërë diçka për paqen apo sigurinë.
Sidoqoftë, shkëlqesisë së tij, presidentit maltez, i është organizuar pritje çfarë e meriton një president, edhe me gardën ceremoniale të FSK-së, e cila është rreshtuar në nderim të tij. Natyrisht se Malta, edhe pse shtet i vogël, është shtet mik i Kosovës që meriton nderime të larta në pritjen e liderëve të saj.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim presidentin maltez, të dielën në mbrëmje. Nga vendi i tij, ai ka kërkuar bashkëpunim ekonomik.
Madje, ardhja e presidentit Vella e ka nxjerrë të dielën në punë edhe gazetaren Jeta Xharra, e cila e ka theksuar këtë fakt në një postim të saj në Facebook.
“Vikend pune”, ka shkruar Xharra, e cila ka ngarkuar fotografi të shumta nga intervista me presidentin Vella dhe protagonistë të tjerë nga ngjarja e presidentes Osmani. /Demokracia.com/