Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka zhvilluar këtë të hënë një aksion simbolik Para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në lidhje me zhvillimet e fundit.
Dibran Hoxha nga kjo organizata tha se për të shënuar ditën e Halloweenit kanë vendosur të shpërndajnë maska siç thotë ai me fytyrat e frikshme të plagjiatorëve të UP-së.
Ai kritikoj edhe qeverinë që sipas tij, nuk merr masa për t’i ndëshkuar plagjiatorët për shkak të interesave të ngushta të tyre.
“Sot për Halloween, na aktivistët e ORCA-s vendosëm të dalim e të shpërndajmë maska me fytyrat e frikshme të atyre që janë përreth plagjiaturës të përbashkuar. Nuk ka gjë me te frikshme se shkatërrimi i arsimit të një vendi që shumicën dërrmuese të popullsisë e ka më të re se mosha 35 vjeçare”.
“Nuk ka gjë më të frikshme se kur plagjiatorët guxojnë të jenë në pozita udhëheqëse edhe pasi janë vërtetuar dyshimet për plagjiaturat e tyre. Nuk ka gjë më të frikshme se kur Qeveria nuk merr masa për t’i zhdukë nga jeta publike, por koketon me ta për interesa të ngushta”.
“Prandaj, sot, për Halloween ne do të shpërndajmë maska të frikshme me fytyrat e frikshme te arsimit të lartë te Universitetit të Prishtinës, le ta dinë të gjithë sa e frikshme është situata në të cilën ndodhemi si shoqëri e në të cilën ndodhet universiteti më i rëndësishëm i vendit tonë”, tha ai.