Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për neglizhencë ndaj komunave që u vërshuan nga reshjet e shiut. Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se vlerësimi i dëmeve dhe rimbursimi i mjeteve do të bëhet brenda pak ditësh.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i ka konsideruar të pakuptueshme vonesat në vlerësimin e dëmeve në komunat e vërshuara, duke thënë se ekziston një portofol i veçantë i Qeverisë për këto lloj situatash emergjente e se kjo vonesë “nuk ka logjikë njerëzore”.
Sipas tij, Qeveria i ka pasur të gjitha mundësitë për t’i vlerësuar dhe paguar dëmet.
“Është e pakuptueshme në të gjitha dimensionet, qoftë në aspektin human, njerëzor, solidar, qoftë edhe në aspektin juridik. Qeveria ka portofolin e vetë për këto situata emergjente, për vërshime dhe për situata të fatkeqësive natyrore”.
“E pakuptueshme kjo neglizhencë, kjo përbuzje, ky injorim që i bëhet zonave të vërshuara, komunës së Skenderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut. Nuk ka logjikë as njerëzore, as humane mos-veprimi i Qeverisë në këto situata”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, thotë për Ekonomia Online, se shumë familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë dhe se gjendja e tyre ekonomike, tanimë e rëndë, është rënduar edhe më shumë.
Ajo thotë se veprimet e ekzekutivit do të duhej të ishin emergjente.
“Ne e ndjejmë atë fatkeqësi që i ka përfshirë shumë qytetarë të Kosovës dhe nuk është me rëndësi rajoni. Është dashtë të ketë masa emergjentë për sanimin e këtyre dëmeve sepse plotë njerëz kanë mbetur pa kulm në kokë e shtëpitë e tyre janë të pa banueshme”.
“Të gjithë ata qytetarë që janë në një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale dhe mezi e kalojnë muajin për shkak të inflacionit, për shkak të pagave të vogla, për shkak të pensioneve të vogla, që unë nuk e di se si arrijnë ta kalojnë, tash kanë plus një barrë tjetër shtesë që janë përmbytur shtëpitë e tyre”.
“Mendoj që është dashtë që veprimet e Qeverisë të jenë në mënyrë emergjente, që t’i identifikojnë se sa familje kanë ngelur pa strehim, ku t’i vendosin, e t’i sigurojnë kushte për jetesë. Ne e kemi parë që deri sot nuk ka pasur asnjë ndihmë”, tha ajo.
Por, vlerësim të shpejt të dëmeve ka paralajmëruar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha për EO se nuk dihet ende për formën dhe mënyrën se si do të ndihmohen familjet e prekura, e cila është çështje e ekzekutivit sipas saj, por se do të bëhet publike brenda pak ditësh.
“Veprimet konkrete vendosen nga Qeveria dhe jam e bindur se në momentin e marrjes së vlerësimeve të të gjitha zonave të prekura, të komunave të cilat janë prekur dhe kanë dëme të dukshme, do të ndikohet drejtpërdrejtë duke i ndihmuar, qoftë në aspektin e investimeve apo edhe fondeve të cilave do të ndahen në nivelin e komunave”.
“Tash cili do të jetë formati edhe në çfarë mënyre do të disbursohen mjetet apo projektet që do të realizohen, është çështje e ekzekutivit që besoj se brenda pak ditësh do të bëhet e njohur edhe për publikun”, u shpreh ajo.