Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, në seancën e Kuvendit ka folur për protestën e veteranëve të UÇK-së që po mbahet jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se është e turpshme që seanca parlamentare të vazhdohet deri sa veteranët janë duke protestuar jashtë, shkruan lajmi.net.
“Sot të gjithë ne këtu do të duhej të ndiheshim të turpëruar, por sidomos ata që votuan e që ishin kundër përfshirjes së veteranëve në lartësinë e pagës minimale. Kabineti qeveritar paska ardhur si ne çdo mbledhje normale. Unë mendoj që mbledhje normale ky Parlament nuk do të ketë derisa të rishikohet çështja e përfshirjes së veteranëve. Sot as që duhet të ketë në seancë. As sot, as nesër e as pasnesër normalitet në Kuvend nuk duhet të ketë. Si PDK, mendojmë që nuk ka kuptim të mbahet e as nuk do të lejohet të mbahet kjo seancë”, ka deklaruar Qalaj nga foltorja e Kuvendit.
Mosmbajtjen e seancës e kanë kërkuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, ka kërkuar që seanca për Pagën Minimale të mos mbahet sot.
“Duhet që urgjentisht të diskutohet me këto kategori”, ka thënë Gashi për veteranët.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të bisedojë me veteranët që po protestojnë jashtë Kuvendit.
“Jashtë janë duke protestuar veteranët e invalidët. Më vjen keq që sot kam parë shumë invalidë të luftës e ish-ushtarë, të cilët vetë i kam mjekuar gjatë luftës. Ti kryeministër nuk mund të ju humbësh mundin. Dil para Kuvendit. Duhet të fillojë dialogu me kategoritë e dala nga lufta”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit po vazhdon protesta e veteranëve të cilët kanë kaluar rrethojat e Kuvendit dhe janë afruar tek hyrja kryesore e Kuvendit.