Paralajmërimeve se a do t`u ndalen pagat grevistëve për ditët e grevës, nuk u është përgjigjur Ministria e Financave.
Madje, ministri Hekuran Murati ishte ftuar në një interpelancë para ligjvënësve pikërisht për këtë temë, mirëpo në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit kjo interpelancë u shty.
Përfaqësues të opozitës kërkuan që grevistëve të mos u ndalen pagat, derisa deputetë nga Vetëvendosje insistojnë që fëmijët t`i kthehen mësimit, sepse sipas tyre, kjo është më shumë se pagesa që u bëhet mësimdhënësve.
Ndërkaq, ligjvënësit do të mblidhen sërish të enjten në një seancë të re plenare. Ndonëse ishte paraparë që para tyre të dalë në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati, megjithatë në mbledhjen e sotme të Kryesisë u vendos që kjo të shtyhet.
Në këtë interpelancë, ministri Murati ishte ftuar të fliste për cenimin e të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore, me ndalimin e pagave.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Kryesisë, zëvendësshefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Enver Hoxhaj, duke folur për grevën, ftoi Qeverinë dhe sindikalistët të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që nxënësit t’u kthehen shkollave.
“Të bëjë një zgjidhje afatshkurtër, për muajt:shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor. Në muajin janar do të duhej të jetë Ligji i Pagave i cili do të duhej ta zgjidhë këtë problem. Qëllimi ynë është që nxënësit të kthehen në shkollë që greva të ndërpritet por në të njëjtën kohë të plotësohen edhe kërkesat minimale të cilat i ka sindikata e Arsimit. Ne jemi subjekt politik i cili nuk e luan rolin e zëdhënësit të sindikatës. Unë mendoj që kanë humbur shumë ditë të procesit mësimor. Unë e mora kalendarin e Ministrisë së Arsimit dhe nëse nuk gaboj janë mbi 2 milionë orë të humbura deri më tash. Viti ka 185 ditë shkollore dhe janë humbë pothuajse 25 ditë”, tha Enver Hoxhaj zëvendës shef i GP të PDK-së.
Në muajin gusht, Ministria e Financave pati paralajmëruar se grevistët mund të mbesin pa paga. RTK ka bërë përpjekje të marrë një qëndrim nga Ministria për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur. Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në emisionin Info plus në RTK tha se nuk ka ndonjë informatë se çka do të ndodhë me pagesat e grevistëve.
“Rezervohem me u përgjigj në këtë pyetje sepse nuk kam informatë. Megjithatë unë po insistoj që mësimdhënësit dhe fëmijët ti kthehen mësimit sepse kjo është më shumë se pagesa që ju bëhet mësimdhënësve. I takon qeverisë me u deklarua për këtë pyetje dhe ka detyrime. Sepse kur ndodhin këto dalin edhe detyrimet”, tha Visar Korenica nga LVV.
Seanca e së enjtes do të nisë me shqyrtimin e disa projektligjeve, derisa pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’i rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara.