Partitë opozitare në Kosovë kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes me Serbinë për targat ilegale serbe.
Veç kësaj, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, deputetët opozitarë kërkuan nga kryeministri Albin Kurti më shumë sqarime rreth marrëveshjes së arritur, dhe po ashtu dialogut rreth marrëveshjes finale.
Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se mirëpresin dakordimin që ka ndodhur të mërkurën në Bruksel, që sipas tij, shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit.
Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ngjarjet fundit lidhur që ndodhën me targat kanë qenë të panevojshme dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës.
“Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze dhe paaftësinë tuaj [Albin Kurti] përball përgjegjësive shtetërore që keni me vendin dhe Kosovën”.
“Domosdoshmërish duhet transparencë në dialog para Kuvendit, qytetarëve të Kosovës dhe jo deklarata kontradiktore, jo qasje selektive, jo injorancë ndaj neve dhe qytetarëve dhe ndaj partnerëve ve strategjik mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e mirëpresin marrëveshjen e cila, sipas tij, evitojë rrezik për përshkallëzim të veriut.
Megjithatë sipas tij, me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri.
“Sfida që e pret Kosovën është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave”, tha Haradinaj.
Kreu i PDK-së i tha Kurtit tha se nga marrëveshja e arritur për targat ka një paqartësi, nëse pritet kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.
Kryeministri tha se kthimi i tyre në institucione nuk mund të bëhet politikisht, dhe se kjo është çështje juridiko-ligjore e kushtetuese.
“Unë iu kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione mos i braktisni ato. Mos jepni dorëheqje, por nuk iu kam thënë kthehuni. Nuk kam të drejt t’i them kthehuni. Shkuarja e tyre është akt individual, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.
Në fillim të nëntorit, si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Kthimin e tyre në institucione e kanë kërkuar edhe partnerët ndërkombëtarë.