Sot është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes – Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin autoritetet e larta shtetërore si dhe zyrtarë të tjetër të lartë vendorë e ndërkombëtarë, ndërsa Ushtrisë sot iu shtuan edhe 17 oficerë të rinj.
Kadetët e diplomuar treguan se janë të gatshëm të nisin rrugëtimin si oficerë të rinj të FSK-së.
Korab Seferi në emër të të diplomuarve tha se sfidat që i presin do të jenë edhe më të mëdha se ato që i kanë kaluar.
“Sfidat që na presin do të jenë edhe më të mëdha se ato që i kemi kaluar. Ne sot themi se do të bëjmë më të mirën dhe nuk do të ndalemi së mësuari. Jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që na takojnë dhe nuk do të hezitojmë për të bërë atë që na kërkohet për vendin tonë. Të mos harrojmë se borxhin që ua kemi atyre që na sollën lirinë nuk shpaguhet kurrë, andaj ta duam dhe t’i shërbejmë Kosovës sonë deri në frymën e fundit”, ka thënë Seferi në emër të klasës 2022.
Në këtë ceremoni u ndanë mirënjohje dhe certifikata të diplomimit për 17 oficerët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollimin katërvjeçar në Qendrën për Studime Universitare.
Në kuadër të programit, përveç ndarjes së diplomave, u publikuan edhe emrat e instruktorit dhe kadetit më të dalluar. Kadeti më i dalluar për Klasën 2022, u shpall kadet Korab Seferi, kurse instruktori më i dalluar, u shpall Toger Premtim Shaqiri.