Kandidati në Konkursin për Drejtor të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Qazim Morina ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore sepse nuk u ftua nga Komisioni për përzgjedhjen e drejtorëve, raporton tv-opinion.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Morina e quan mosftesën e Komisionit tendencioze dhe cenim të imazhit të tij.
Postimi i tij i plotë:
Qëllimi im si kandidat në Konkursin për Drejtor të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, ka qenë avancimi i mëtejshëm i procesit edukativo-arsimor, në tempullin më me traditë të arsimit.
Kjo më ka shtyrë që përvoja e gjatë në arsim, që nga vitet 90-ta dhe kualifikimet përkatëse, të besoj se jam adekuat për të udhëhequr me këtë institucion të rëndësishëm.
Përkundër kësaj, mosftesa nga Komisioni për përzgjedhjen e drejtorëve, ( siç po qarkullon në opinion me arsyetimin “për mungesë të kopjes së letërnjoftimit”) besoj se është tendencioz dhe me qëllim të CENIMIT të të drejtës dhe dëmtimit të imazhit tim.
Me qëllim të mbrojtjes së drejtave të dhe integritetit tim, dhe për shkak të dyshimeve të bazuara për MANIPULIM të procesit dhe ligjshmërisë së Konkursit, kam bërë Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda për shkeljet ligjore për Konkursin.
Në kallëzimin penal, kam varguar të gjitha parregullsitë, të cilat e kanë shoqëruar konkursin, përfshirë edhe dyshimin për largimin e qëllimshëm të ndonjë dokumenti. Jam i bindur se kjo lojë është bërë me qëllime të caktuara.
Pavarësisht kësaj, parregullsitë e konkursit duhet shikuar në objektivin e drejtësisë, sepse mënyra e përzgjedhjes, mënyra e publikimit të njoftimeve … lënë për të dëshiruar se ende janë të fuqishme grupet dashakeqëse ndaj arsimit në Prizren.