Për një muaj rresht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka përcaktuar një çmim të njëjtë për furnizim me derivate në të gjithë territorin e Kosovës.
“Çmimi tavan”, ishte zgjidhja që Qeveria Kurti vendosi të bëjë në mënyrë që të ketë ulje të çmimeve ekstreme me të cilat po furnizoheshin kosovarët me derivate.
Kësisoj nga koha kur u vendos ky çmim pati një ndryshim prej disa centëve.
1.95 ishte çmimi për Dizel më 24 qershor, kurse sot çmimi është 1.69.
Kurse 1.93 ishte çmimi për Benzinë, derisa sot furnizimi mund të bëhet më 1.53, transmeton lajmi.net.
Kësisoj u kuptua se në shumë raste ishin pikërisht furnizuesit e derivateve që çmimet i vendosnin siç donin e në pamundësi të gjetjes së zgjidhjes, qytetarët furnizoheshin me çmime ekstreme.
“Qeveria Kurti ka prioritet mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetjen e bizneseve vendore përmes rregullimit të tregut tonë.Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me masat dhe veprimet e ndërmarra kundrejt rritjes së çmimeve në sektorin e naftës, ka dhënë efekte të menjëhershme dhe rezultate pozitive për qytetarët tanë”, u tha mbrëmë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Tutje u tha se masat në vijim për rregullimin e çmimeve do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut.
“Prandaj, masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët.Ne jemi të përkushtuar që në tregun e Republikës së Kosovës të kemi karburante cilësore, konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit, me synim të ruajtjes së sigurisë shtetërore, shëndetit publik dhe mjedisit”.