Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin për Naser Pajzitajn, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës.
Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, Apeli ka vendosur që nga dënimi me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitaj të dënohet me 35 vjet burgim.
Ky rast, që është një prej vrasjeve më të rënda të pasluftës në Kosovë, kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës që ishte ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat. /Reporteri.net