Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërise dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës është krejt e veçantë. Siç thotë ai, edhe vizionin, interesat dhe qëllimet i kemi të përbashkëta.
Njoftimi i plotë:
Sot e pata nderin dhe kënaqesinë të mirëpritesha në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga Kryetarja e Kuvendit znj.Lindita Nikolla. Së bashku me nënkryetarët Enver Hoxhaj e Bekim Arifi, shefin e kabinetit, Ilir Kërçeli, dhe sekretarin Ismet Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Së bashku me Kryrtaren Nikolla e nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërise dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Memorandumi i Bashkëpunimit synon, ndër të tjera, zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës në fushat e ligjbërjes, përafrimin e legjislacionit të të dyja vendeve dhe të secilit vend me legjislacionin e Bashkimit Evropian, intensifikimin e diplomacisë parlamentare për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës së saj në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare, organizimin në mënyrë periodike të Tryezës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, si dhe tryezave të përbashkëta mes komisioneve respektive.
Mirënjohje e falënderime për znj.Nikolla dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, e po ashtu dhe për grupin punues që kontribuoi në përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës është krejt e veçantë. Edhe vizionin, interesat dhe qëllimet i kemi të përbashkëta.
Gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar drejt së ardhmes!