Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook, ka njoftuar se sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me organizatën Gjermane Help dhe Makerspace Innovation Center Prizren në kuadër të projektit “Programi i Trajnimit për Punësim – shkathtësi digjitale”.
“ Synimi i këtij projekti është t’u ofrojë ndihmë të rinjve të papunësuar dhe të papërcaktuar profesionalisht që ta orientojnë zhvillimin e tyre profesional drejt përvetësimit të shkathtësive digjitale inovative dhe t’u ofrojë mundësi punësimi përfituesve.
Përkrahja do t’u ofrohet të rinjve të regjionit të Prizrenit pa dallim, përmes ndërtimit të aftësive personale dhe profesionale si dhe fuqizimit të tyre ekonomik.
Në kuadër të projektit do të mbështeten gjashtëdhjetë të rinj në synimet e tyre për të filluar karrierë në fushat e shkathtësive digjitale.
Komuna e Prizrenit, organizata Help dhe Makerspace Innovation Center Prizren, përmes kësaj mbështetjeje ka për qëllim inkurajimin e të rinjve për zhvillimin e tyre profesional dhe për pavarësi financiare.”, ka shkruar kryetari Totaj.