Qeveria u thirr në Nenin 18 te Ligjit për Greva për mosprocedimit e pagave të mbi 20 mijë punonjësve grevistë të arsimit, por në mënyrë selektive ngase pagoi grevistët e administratës, tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, raporton gazeta online Reporteri.net.
Për çfarë, pyeti Hoxha, ky zbatim selektiv i ligjit. “Vetëm mësimdhënësit u dënuan, por u dënuan edhe ata mësimdhënës që s’kanë grevuar dhe ato në pushime mjekësore dhe lehonat”.
Diskriminim dhe paligjësi, e quajti Eliza Hoxha, mënyrën se si ka vepruar Qeveria e Kosovës me mospagesën e pagave të mësonjësve.
“As ministria dhe as qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjnë në financat e pushtetit lokal, sepse komunat janë punëdhënësit e mësuesve, vetëm ato mund të thirren në ligjin që jeni thirrur ju”, u shpreh Hoxha.
Deputetja e PDK-së tha se tashmë partia e saj ka ushtruar kallëzim penal ndaj ministrit kosovar të financave, Hekuran Muratit.