Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot u shpreh se Kosova duhet të jetë e palëkundur edhe karshi zhvillimeve politike të fundit, ku po kërkohet gjymtimi i pavarësisë dhe kushtetueshmërisë.
Këto komente Nagavci i bëri në sesioni shkencor “Kosova 15 vjet pavarësi – sfidat dhe shtetndërtimi” i organizuar nga Instituti Albanologjik Prishtinë bashkë me Institutin e Historisë Tiranë dhe Instituti i Trashëgimisë në Shkup.
Ministrja e Arsimit, Nagavci tha se sistemi arsimor në bazë të reformave të ndërmarra ka arritur zhvillim të dukshëm pozitiv.
Ajo përmendi disa nga iniciativa e marra si qeverisje për arsimin e lartë, ndërsa shtoi se rruga e duhur për të ruajtur dhe forcuar pavarësinë është përmes edukimit të vazhdueshëm dhe cilësor.
“Me këtë histori në mendje, me kontributin dhe respektin për të gjithë gjeneratat që mundësuan këtë ne sot e festojmë 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës gjithherë duke pas parasysh se situata jonë karshi zhvillimeve politike me shtetin e Serbisë mbetet akoma e brishtë. Përderisa, nuk kemi platformë të përbashkët të vlerave qytetare mbi të cilat do të mund të zhvillonim bisedime për normalizimin e raporteve ndër-shtetërore jemi të vetëdijshëm që ne ballafaqohemi për të drejtën tonë të pamohueshme për pavarësi, andaj edhe duhet të jemi të vendosur e të palëkundur. Kjo vlen edhe për zhvillimet e fundit politike ku kërkohet nga ne madje edhe gjymtimi i pavarësisë dhe kushtetueshmërisë sonë. Por, pavarësisht gjithçkaje ne e vazhdojmë punën tonë për avancimin demokratike që kultivon dhe mbi të gjitha mbron të drejtat e qytetarëve të vetë pa asnjë dallim kombësie, feje apo race.”, tha Nagavci.
Drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Hysen Matoshi deklaroi se procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i pakthyeshëm dhe sfidat e evidentuara shkaktojnë vonesa në zhvillimin e vendit.
Sipas tij, mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së e kanë lënë pengë për një kohë të gjatë edhe funksionalizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.
Ai tha se stagnimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është i dëmshëm edhe për rajonin.
“Administrimi klasik i UNIMK-ut dhe i mekanizmave tjerë ndërkombëtar shpesh herë ka qenë i shoqëruar me inkonsekuenca gati të mundshme. Debati për multietnicitetin e Kosovës dhe mono-etnicitetin e institucioneve të caktuara të saj është tepër dëshmues në këtë drejtim…Vite më vonë shohim lansojnë instanca ekskluzive një etnike të pushtetit. Një pengesë e madhe në ndërtim të shtet ndërtimit u shfaq edhe për shkak të përplasjes së interesave gjeo-strategjike në Ballkan sidomos në vitin e fundit si rrjedhojë e luftës në Ukrainë….mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së e kanë lënë pengë për një kohë të gjatë edhe funksionalizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe praninë e asaj në organizata ndërkombëtare të ndryshme. Krahas mangësive evidente në vetë organizimin e brendshëm dhe funksionimin e plotë të mekanizmave shtetëror e që përbëjnë një detyrë të elitës politike të Kosovës kjo qasje e faktori ndërkombëtar jo rrallë shfaqet si pengesë në avancimin e përshpejtuar të proceseve rrjedhimisht sot për sot përbënë një ndër sfidat më kryesore.”, u shpreh ai.
Nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet një projekt shekullor për mbarë kombin shqiptar.
Duke uruar që përvjetorët tjerë ta gjejnë Kosovën më të konsoliduar, Asani kërkoi që pavarësia dhe integrimi brenda kombëtar të shkojë paralelisht drejt një bote shqiptare të shtrirë në një planimetri global.
“Kosova është proces në ecje dhe ky proces shkon paralelisht me nevojën për të pasur një shoqëri demokratike në të cilën sundon shteti i së drejtës si dhe të gjithë parametrat e një shoqërie që ka kërkesa për më shumë zhvillim ekonomik e më pak varfëri, më shumë forma institucionale e juridike e më pak korrupsion.. Duke shpresuar që përvjetorët tjerë do të gjejnë Kosovën më të konsoliduar në të gjitha planet uroj që pavarësia dhe integrimi brenda kombëtar të shkoj paralelisht drejt një bote shqiptare e shtrirë në një planimetri global.”, theksoi ai.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit Historik “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli u shpreh se Kosova ditëlindjen e saj të 15 e shënon me shumë progres përfshirë edhe fushën e arsimit.
Duke kujtuar të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Shala-Peli kujtoi edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë.
“Një bashkim i tillë i forcave intelektuale e bënë edhe më të veçantë këtë jubile dhe do të ndikoj në ndriçim e shumë ngjarjeve që i paraparin shpalljes së pavarësisë dhe shumë proceseve që ndodhen pas saj….Një vend nderi zë edhe sakrifica e të gjithë atyre që edhe sot 15 vite pas pavarësisë dhe 24 vite pas çlirimit të Kosovës po mbahen dhe po gjykohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagë, jemi të bindur se edhe kësaj radhe do të triumfoj pastërtia dhe pafajësia e UÇK-së…03’40 Pavarësisht sfidave një fakt i gjithë-pranuar se Kosova e pavarur ka shënuar progres në shumë fusha duke e përfshirë edhe arsimit, shkencën edhe kulturën.”, tha ajo.
Në këtë sesion shkencor me titullin “Kosova 15 vjet pavarësi – sfidat dhe shtetndërtimi” do të prezantohen punime të ndryshme shkencore mbi pavarësinë e Kosovës.