Ministria e Arsimit është në finalizim të akreditimit të programit për gjuhën e shenjave, ndërsa ka paraparë një vlerë prej 500 mijë eurosh për sintezën vokale në gjuhën shqipe.
Ndërkohë, aktualisht tekstet shkollore e materialet mësimore për fëmijët me shikim të dëmtuar dhe ata të verbër, janë të qasshme vetëm në Qendrën Burimore në Pejë, por nuk janë të qasshme nëpër shkollat e tjera publike në vend.
Në Qendrën Burimore Prizren, janë punësuar tre interpretues të shenjave dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet programi për gjuhën e shenjave. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se ky program së shpejti do të akreditohet, ndërsa theksoi se i kanë kushtuar vëmendje të veçantë qendrave burimore në vend.
“Me buxhetin e vitit 2023 është paraparë një vlerë prej 500 mijë euro për sintezën vokale në gjuhën shqipe, është një projekt i synuar kamotshëm, pasi ofron mundësi për personat e verbër që të kenë qasje jo vetëm në tekste e materialet mësimore, por në përgjithësi në burime të shkruara. Ministria e Arsimit është në finalizim të akreditimit të programit për gjuhën e shenjave”, tha ajo
Ndërkohë, Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, ka theksuar se ofrimi i materialeve të nevojshme për nxënësit me shikim të dëmtuar ose të verbër, është obligim ligjor.
“Ligji për tekste shkollore ia bën të obligueshme Ministrisë së Arsimit që të hartojë tekste shkollore edhe për fëmijët me shikim të dëmtuar dhe çdo kategori tjetër të fëmijëve me nevoja të veçanta. Kjo është përgjegjësi institucionale, por ne duhet t’i thërrasim në përgjegjësi ata që kanë dështuar ta bëjnë këtë deri më sot. Shpresojmë shumë, që kjo të tejkalohet dhe iniciativa e vullneti i institucioneve të na kthehet me të vërtetë në tekste shkollore e materiale mësimore që janë të qasshme e të lexueshme për fëmijët me shikim të dëmtuar”, tha Qehaja.
Tekstet shkollore e materialet mësimore për fëmijët me shikim të dëmtuar dhe fëmijë të verbër, janë të qasshme vetëm në qendrën burimore në Pejë, por nuk janë të qasshme nëpër shkollat e tjera publike në vend. Sipas legjislacionit në fuqi, në Kosovë shkollat dhe institucionet e tjera të trajnimit, duhet të respektojnë parimin e arsimit gjithëpërfshirës, duke akomoduar të gjithë fëmijët pa dallim nga kushtet e tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore ose të tjera dhe të ofrojnë mbështetje adekuate bazuar në nevojat individuale të nxënësve.