Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka deklaruar se ministria që ajo drejton në koordinim me komunat i ka bërë përgatitjet e duhur për fillimin e vitit të ri shkollor, derisa paralajmërimet e SBASHK për grevë i ka quajtur të paarsyeshme.
Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se MASHTI ka punuar në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, avancimin e infrastrukturës ligjore, tekste cilësore, kabinete e laboratorë, në mënyrë që t’i përmirësojnë rezultatet në arsim.
“Pagë dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë. Ky premtim do të jetësohet me Ligjin e ri për paga. Mësimdhënësit tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë. Jo neglizhim i mësimdhënësve dhe edukatoreve të nivelit parashkollor, por paga dhe kushte te punës së favorshme”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka theksuar se ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rritjes në paga.
“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim. Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”, ka theksuar Nagavci.
Ajo ka shtuar se kanë shqyrtuar çdo kërkesë dhe se projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit më mirë sesa “SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar”.
“Kemi një rrugë të gjatë së bashku edhe këtë vit mësimor dhe sfidat nuk do të mungojnë. Çdo orë dhe ditë mësimore është përgjegjësi ndaj nxënësve për një shkollim më të mirë”, ka thënë Nagavci.