Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për Qeverinë Kurti, për të cilën u shpreh se nuk do të thoshte se kjo qeveri është e pakorruptuar.
Sipas Mustafës, faktet flasin ndryshe, teksa përmendi ndërrimet që janë bërë në bordet e kompanive publike që sipas tij, janë krejt ndërrime politike të cilat futen në fushën e korrupsionit.
“Kanë dal probleme me pagesat që i janë dash me ju bë punëkryesve. Ka pas në media raste kur kanë kërkuar para në mënyrë që të bëjnë pagesa, dhe këto raste kanë ndodhur në qeverisjen e Kurtit”, është shprehur Mustafa në Syri TV.
Ish-kryeministri Mustafa foli edhe për opozitën në Kosovë, ku tha se do të donte të kishte një opozitë më konkrete.
“E kam thënë edhe më parë, do të kisha pasur dëshirë të shihja një opozitë e cila është është konkrete, e cila është shumë më dinamike, më e gjallë dhe e cila nuk pret që Albin Kurti do të rrëzohet vetë apo do ta rrëzojë vetveten. Çdo opozitë duhet të synojë të rrëzojë qeverinë. Opozita ekziston në mënyrë që të kundërshtojë dhe të rrëzojë kundërshtarin”, është shprehur ai.