Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka prezantuar raportin hulumtues “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti, problemet më shqetësuese, sa i përket keqinformimit dhe lajmeve të rreme të mediave online, janë mungesa e resurseve njerëzore, mos-bashkëpunimi me verifikuesit si dhe mungesa e procedurave të shkruara.Kështu u shpreh Imer Mushkolaj, kryetar i KMShK-së, i cili tha se lajmet e rreme shpesh mund të shkaktojnë frikë dhe panik te qytetarët.
“Këto lajme të rreme mund të krijojnë frikë dhe panik te qytetarët. Është problem edhe mungesa e resurseve njerëzore në media. Një mungesë tjetër ka të bëjë me mosbashkëpunimin me verifikuesit e fakteve. Brenda redaksive shpesh mungojnë edhe procedurat e shkruara”, tha Mushkolaj.
Tutje, ai tha se hulumtimi ka për qëllim t’i ndihmojë gazetarët, teksa ftoi edhe institucionet për bashkëpunim.
“Rekomandimet që kanë dalë nga ky hulumtim janë që të ju ndihmojnë gazetarëve dhe neve si këshill. Edhe institucionet duhet ta kryejnë punën e tyre, si çështja e respektimit të ligjit të punës dhe rastet e sulmeve ndaj gazetarëve”, tha tutje ai.Qerim Ondozi, autor i këtij hulumtimi, ka treguar të gjeturat e raportit.
“Hulumtimi është ndarë në tri pjesë. Pjesa parë ka qenë analiza e raporteve që i kemi pas. Pjesa e dytë ka qenë një pyetësor, gjithsej me 34 pyetje, për organizimin e redaksive, përgatitjen e gazetarëve etj. Ndërsa, pjesa e trete analizimi. Një ndër problemet ka qenë hallka e raportimit, pra kemi hasë në mungesën e redaktorëve dhe lektorëve”, tha ai.
“Konfuzion për sa i përket rregullave të brendshme. Gjetje tjetër interesante ka qenë që nuk ka pas sanksionime ose ndëshkime për gazetarët që qëllimisht kane prodhuar lajme të rreme”, tha tutje ai.