Gjykata Speciale po vazhdon t’i gjykojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa pasur prova të mjaftueshme, rrjedhimisht, procesi po zvarritet, thotë për Ekonomia Online, avokati i njohur Skënder Musa.
Duke folur për këtë rast, Musa thotë se prokurorët në Hagë kanë futur në lëndë materiale të paselektuara.Musa ka thënë se shumica e provave janë siguruar nga shteti i Serbisë.
“Procesin e kam parë që po shkon me një zvarritje, kam parë një arbitrarizëm të Prokurorisë Speciale për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme, pavarësisht që kanë mbledhur nga Serbia dhe natyrshëm që regjimi që e ka bërë luftën në Kosovë të fabrikojë dhe të paraqesë prova të rrejshme kundër liderëve të UÇK-së, të cilët kanë luftuar kundër atij regjimi për çlirimin e Kosovës, dhe në mungesë të provave materiale thelbsisht të besueshme, ka materiale të shumta duhet të selektohen dhe se ato nuk i ka bërë fare Prokuroria Speciale. Pra siç i ka pranuar nga palët e ndryshme që shumica prej tyre janë siguruar nga Prokuroria e Serbisë, i ka marrë si të mirëqena dhe i ka vendosur në lëndë”, thotë Musa.
Tutje ai ka thënë se procedura duhet të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar sepse të akuzuarit janë duke u mbajtur në burg ende pa një vendim gjyqësor të formës së prerë.“Është më të vërtetë shqetësuese fakti se mbahen në paraburgim në bazë të një plani mirë të përgatitur, fillimisht përmes Dick Martyt që pastaj u vërtetua që ai raport nuk ka pas asgjë. Unë jam i bindur se nuk do të ketë asgjë as në krimet e luftës, sepse ne e dimë që në Kosovë ka qenë e pamundur të kryhen krime…”, u shpreh Musa, i cili tha se shteti serb ka ditur të inskenojë raste vetëm për t’i fajësuar shqiptarët.
“Ngjashëm kanë vepruar edhe në raportin e ish-senatorit Dick Marti. Kanë hetuar dhe kanë ardhë në përfundim që ai raport nuk ka elemente të veprës penale, nuk ka gjurmë të kryerjes së asaj vepre penale, dhe kanë konstatuar se nuk është kryer fare ajo vepër, dhe njëjtë edhe në këtë rast kanë mundur të veprojnë, mirëpo zakonisht prokurorët janë të orientuar që mund të dalë diçka tjetër dhe në anën tjetër, Serbia ka qenë i involvuar në tërësi që të përgatisë sa më shumë dosje, por që nuk duhet harruar faktin se kanë deponuar eksponentë tjerë brenda Kosovës, ka pasur edhe dëshmitarë shqiptarë që janë përpunuar dhe përgatitur nga institucionet e Serbisë që të dëshmojnë, mirëpo Prokuroria është dashur ta zbatojë nenin 7 Kodit të Procedurës Penale dhe t’i marrë parasysh se nga kush kanë ardhë këto prova, çfarë vlere mund të kenë dhe cili është ka qenë roli i atyre personave që kanë deponuar prova”, u shpreh ai.